Man City gabon sërish, ndalet nga Newcastle

  • 30 November 2019 - 15:35
Man City gabon sërish, ndalet nga Newcastle

Manchester City humbi pikë për të pestën herë këtë sezon, duke ia vështirësuar shumë punën vetes në tentimin për ta mbrojtur titullin e kampionit të Premierligës, pasi që tani Liverpooli e ka rastin e artë të kalojë në epërsi për 11 pikë në kreun e tabelës.

Manchester City u ndal me barazim 2:2 në ndeshjen kundër Newcastle Unitedit, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin St.James Park, në kuadër të xhiros së 14-të të Premierligës.

Djemtë e Guardiolës e dominuan plotësisht ndeshjen – me 78 për qind të posedimit të topit dhe 22 gjuajtje drejt portës, prej të cilave tetë ishin brenda kuadratit, në krahasim me vetëm tri të Newcastle Unitedit.

Megjithatë, një dominim i tillë nuk u pasqyrua edhe në rezultatin e ndeshjes, pasi që Manchester City u detyrua t’i ndajë pikët me nikoqirët, duke ia dhënë mundësinë Liverpoolit të kalojë në epërsi prej 11 pikësh në kreun e Premierligës.

Manchester City fillimisht kaloi në epërsi në minutën e 22-të përmes një goli të Raheem Sterlingut, mirëpo kundërshtarët iu përgjigjën shpejt duke e barazuar rezultatin vetëm tre minuta më vonë përmes një goli të shënuar nga Jetro Williams.

E njëjta gjë ndodhi edhe në pjesën e dytë. Manchester City kaloi sërish në epërsi në minutën e 82-të, përmes një supergoli të shënuar nga Kevin De Bruyne, mirëpo vetëm gjashtë minuta më vonë rezultati u barazua sërish, këtë herë nga Jenjo Shelvey.

Tani Manchester City i ka 29 pikë të grumbulluara nga 14 xhirot e para dhe është e dyta në tabelën e Premierligës, me tetë pikë më pak sesa Liverpooli, që mund ta ngre epërsinë në 11 pikë nëse fiton sot. 

(Kosova Sot Online)