Arsyet pse Kosova mund të zhvendoset në Grupin e Vdekjes të Evropianit

  • 04 December 2019 - 10:30
Arsyet pse Kosova mund të zhvendoset në Grupin e Vdekjes të Evropianit

Shorti që u mbajt të shtunën e javës së kaluar në Bukuresht të Rumanisë e radhiti Kosovën në Grupin C të Kampionatit Evropian, nëse “Dardanët” e arrijnë kualifikimin në këtë turne përmes Rrugës D të Ligës së Kombeve.

Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë. 

Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në EURO 2020, ku tashmë është bërë e ditur se do të jetë në Grupin C. Megjithatë, nëse Rumania shpallet fituese e Rrugës të Ligës së kombeve, ku garon me Islandën, Bullgarinë dhe Hungarinë, atëherë Kosova do të zhvendoset në Grupin F, që është bërë i njohur si Grupi i Vdekjes.

Në Grupin C do të garojë Holanda, Ukraina, Austria dhe fituesi i Rrugës D të play-offs, që mund të jetë Kosova. Ndërsa në Grupin F radhiten Portugalia, Franca, Gjermania dhe fituesi i Rrugës A të play-offs.

Megjithatë, Kosova mund të zhvendoset nga Grupi C në Grupin F nëse Rumania e fiton Rrugën A të play-offs, pasi që Grupi C do të luhet në Bukuresht të Rumanisë dhe UEFA ka planifikuar që vendet nikoqire të këtij Evropiani të luajnë në vend të vet në ndeshjet e grupit nëse kualifikohen.

Por, edhe nëse Rumania s’e fiton Rrugën A të play-offs kundër Islandës, Bullgarisë dhe Hungarisë, Kosova e ka situatën mjaft të komplikuar edhe në Grupin C dhe UEFA do të duhet të gjejë zgjidhje edhe ndaj këtyre problemeve.

Pasi që ndeshjet e Grupit C do të zhvillohen në Amsterdam të Holandës dhe Bukuresht të Rumanisë, Kosova do të luajë, nëse kualifikohet, në një vend që s’e njeh, pasi që Rumania është njëra ndër pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Hyrja në Rumani do t’u lejohej kosovarëve vetëm përmes një vize të veçantë, që do ta bënte të vështirë udhëtimin për tifozët kosovarë dhe nuk është e qartë nëse Rumania do të pranonte që flamuri shtetëror dhe himni i Kosovës të shfaqeshin në stadiumin “Arena Nationala”.

Për më tepër, në Grupin C është e radhitur Ukraina, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kjo ngrit dyshimet se mund të ketë përplasje mes tifozëve apo ndonjë rrëmujë të ngjashme.

Kosova dhe Ukraina kishin qenë pjesë e grupit të njëjtë edhe në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2018. Ukraina kishte refuzuar ta presë në shtëpi Kosovën dhe UEFA kishte urdhëruar që dy ndeshjet mes tyre (vajtje-ardhje) të luhen në stadiume neutrale – në Poloni dhe Shqipëri.

Të gjitha këto mund të bëjnë që në fund, nëse e arrin kualifikimin, Kosova të zhvendoset në Grupin F të Kampionatit Evropian 2020, ku do të përballej me Francën, Gjermaninë e Portugalinë në luftën për ta zënë njërën nga dy vendet e para.

(Kosova Sot Online)