Sadiku: “Ndihem i rëndësishëm që nga dita e parë”

  • 07 dhjetor 2019 - 11:38
Sadiku: “Ndihem i rëndësishëm që nga dita e parë”

Armando Sadiku e ka rikthyer Malagan te fitorja në Liga 2 pas një ecurie  të dobët prej tri barazimesh dhe dy humbjesh në pesë takimet e fundit.

Sulmuesi kuqezi realizoi dy golat e andaluzëve në fitoren 2-0 përballë Tenerifes në stadium “La Rosaleda”, duke kthyer shpresën e një ecurie pozitive për ekipin vendas.

28-vjeçari, i cili e nisi titullar takimin bashkë me Keidi Baren, realizoi në minutën e 27-të me një goditje të shpejtë brenda zonës, ndërsa në pjesën e dytë, në minutën e 76-të, u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë sukses Malaga parakalon pikërisht Tenerifen në renditje, duke iu larguan zonës së ftohtë (vendi i 17-të, 20 pikë).

“Jam ndier mirë, më ka pëlqyer. Këta tifozë më emocionojnë dhe i falënderohem për gjithçka”, tha Sadiku.

“Ndihem i rëndësishëm që në ditën e parë. Shokët dhe Víctor më kanë ndihmuar shumë. Donim të fitonim këtë ndeshje, tani jemi më të fortë si ekip”.

“Kishim nevojë për këto pikë përpara publikut tonë. Jemi të lumtur, por me këmbë në tokë”.

“Po punoj shumë çdo stërvitje dhe çdo ndeshje, edhe pse nuk shënoj ndonjëherë, gjithmonë dua të mendoj që kam dhënë më të mirën nga vetja”.

Më këtë dygolësh Sadiku e çon në gjashtë numrin e finalizimeve në këtë sezon në Liga2.

(Kosova Sot Online)