Challandes pritet të ftojë lojtarë të IPKO Superligës për miqësoren me Suedinë

  • 09 December 2019 - 15:38
Challandes pritet të ftojë lojtarë të IPKO Superligës për miqësoren me Suedinë

Trajneri Bernard Challandes pritet t’i provojë disa lojtarë, përfshirë këtu edhe ata të IPKO Superligës, në miqësoren e muajit të ardhshëm në Doha të Katarit.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë vitin 2020 me një ndeshje miqësore.

Federata e Futbollit të Kosovës njofton se “Dardanët” do të luajnë me Suedinë më 12 janar.

Shtëpia e futbollit kosovar gjithashtu zbulon se kjo ndeshje miqësore do të luhet në Doha të Katarit.

Siç mëson media, trajneri Bernard Challandes do t’i ftojë edhe disa lojtarë të IPKO Superligës për këtë ballafaqim.

Në të kaluarën, trajnerët e IPKO Superligës janë ankuar se nuk po ftohen futbollistët e kampionatit vendor, ndërsa tash do të jetë një mundësi e artë për disa prej tyre që ta sprovojnë veten tek ekipi kombëtar.

Siç mëson media në mesin e të ftuarve mund të jetë edhe treshja e Ballkanit, e cila shkëlqeu në pjesën e parë të kampionatit, Blend Baftiu Arbër Hoxha dhe Jetmir Topalli.

Por, mund të ketë edhe ndonjë ftesë për lojtarë të tjerë të elitës së futbollit kosovar.

Gjithashtu, trajneri zviceran do t’ua japë rastin edhe lojtarëve që kanë më pak hapësira tek Përfaqësuesja në ndeshje zyrtare.

Ky test do t’i shërbejë trajnerit Challandes për t’u përgatitur për ndeshjen e rëndësishme të muajit mars ndaj Maqedonisë së Veriut, e vlefshme për gjysmëfinalen e “Play-Offit” të Ligës së Kombeve.

Kosova bëri paraqitje mbresëlënëse në kualifikimet e Euro 2020.

Edhe pse përfunduan në pozitën e tretë në Grupin A, Verdhekaltrit dolën me kokën lartë për atë që e treguan.

FFK-ja do të japë të martën detaje shtesë rreth ndeshjes miqësore me Suedinë.

(Kosova Sot Online)