Nata e kualifikimit në Champions

  • 10 December 2019 - 11:52
Nata e kualifikimit në Champions

Sonte do të zbulohen krejt skuadrat që do të kualifikohen në fazën tjetër nga Grupet E, F, G e H të Ligës së Kampionëve.

Sonte do të zhvillohet xhiroja e gjashtë e fazës së grupeve, ku edhe do të kompletohen Grupet E, F,G e H të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja kryesore konsiderohet ajo në mes të Interit dhe Barcelonës në Grupin F.

“Nerazzurri” kanë nevojë për fitore për t’u kualifikuar, ndërsa gjiganti katalunas do të luajë me rezervistë në Itali.

Ndërkohë, Borussia Dortmundi duhet të fitojë me Slavia Pragën dhe të shpresojë që Interi të dështojë kundër Barçës.

Në Grupin E, Liverpoolit do t’i mjaftonte një barazim me Salzburgun në udhëtim për t’u kualifikuar.

Napoli po ashtu mund të shkojë përpara me barazim kundër Genkut, nëse Salzburgu nuk e mposht kampionin aktual evropian.

Në Grupin G, Leipzigu ka shkuar tutje, ndërsa për vend të dytë do të luftojnë Zeniti dhe Lyoni.

Ekipi rus do ta vizitojë Benfican në Portugali, kurse francezët e presin Leipzigun.

Në Grupin H gjithçka mbetet e hapur.

Ajaxi do të kualifikohej tutje me një barazim në shtëpi kundër Valencias.

Në këtë rast, Chelsea duhet ta mposht Lillen për të ecur tutje.

Ajaxi aktualisht ka 10 pikë, kurse Valencia e Chelsea nga 8.

(Kosova Sot Online)