Pritet zyrtarizimi i Gattusos në Napoli, pas shkarkimit të Ancelottit

  • 11 December 2019 - 08:47
Pritet zyrtarizimi i Gattusos në Napoli, pas shkarkimit të Ancelottit

Mediat italiane raportojnë se Gennaro Gattuso do të emërohet trajner i Napolit brenda disa orëve, pasi klubi lajmëroi mbrëmë se Carlo Ancelotti është shkarkuar nga posti i trajnerit.

Vendimi për shkarkimin e Carlo Ancelottit ishte pritur që të paktën një javë dhe u shty deri në këtë moment vetëm për shkak se Napoli e kishte edhe ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve në mesjavë.

Vetëm pak orë pas fitores me rezultat 4:0 kundër Genkut, që e çoi Napolin në fazës e eliminatore, Ancelotti u takua me presidentin Aurelio De Laurentiis në Hotel Vesuvio dhe aty iu bë e ditur se e ka humbur postin e tij.

Një deklaratë u lëshua nga klubi pastaj për shkarkimin e trajnerit, i cili vetëm pak orë më parë kishte thënë se nuk do të jepte dorëheqje.

Tani, në vend të tij pritet të emërohet Gennaro Gattuso, i cili raportohet se ka pranuar kontratë deri më qershor të vitit 2021. Sipas, Sportmedia, ai do t’i fitojë 1.5 milionë për gjysmën e sezonit të mbetur, ndërsa nga 3 milionë euro për sezonet e tjera.

Megjithatë, Sky Sport Italia pretendon se marrëveshje për Gattuson është vetëm gjashtëmuajshe me opsionin për ta rinovuar automatikisht nëse Napoli arrin të radhitet në mesin e top katërshes së Italisë.

Gattuso ka qenë pa punë që kur i ndau rrugët me Milanin më 28 maj, pasi nuk e kishte arritur kualifikimin në Ligën e Kampionëve për vetëm një pikë. Kontrata e tij ishte shkëputur me marrëveshje të të dy palëve dhe Gattuso kishte hequr dorë nga paga e tij e mbetur për t’u siguruar që stafi i tij të paguhet.

Që nga atëherë, Gattuso është përmendur edhe te disa klube të tjera gjatë muajve të fundit, përfshirë këtu Fiorentinën, Genoan dhe Sampdorian. Megjithatë, ai i refuzoi të gjitha këto oferta, në pritje të një mundësie më të mirë.

 Ai do të vijë në Napoli dhe do ta zëvendësojë mësuesin e tij Ancelottin, për të cilin kishte luajtur në Milan si mesfushor për 332 ndeshje zyrtare.

“Rino” e drejtoi skuadrën e Milanit në 82 ndeshje, pasi fillimisht e kishte marrë këtë post si trajner i përkohshëm, pas shkarkimit të Vincenzo Montellas në nëntor të vitit 2017.

Para kësaj, ai kishte pasur vetëm eksperienca të shkurta si trajner në Sion, Palermo, OFI Crete, Pisa dhe me ekipin e të rinjve të Milanit.

(kosova Sot Online )