Carvajali e nxit Mbappen t’i bashkohet Real Madridit

  • 12 December 2019 - 16:24
Carvajali e nxit Mbappen t’i bashkohet Real Madridit

Dani Carvajal e ka shprehur dëshirën e tij për të bashkëpunuar me Kylian Mbappen në Real Madrid, duke insistuar se futbollistët më të mirë të botës duhet ta dëshmojnë veten në kryeqytetin spanjoll.

Edhe pse vetëm 20-vjeçar, Kylian Mbappe ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë sezoneve të fundit, shkaku i paraqitjeve të tij dhe arritjeve si me klube (Monaco dhe Paris Saint-Germain), ashtu edhe me Kombëtaren e Francës.

Francezi u bë i famshëm gjatë periudhës sa po luante në Monaco, pasi që i ndihmoi klubit ta fitojë titullin e Ligue 1 në sezonin 2016/17, para se ta siguronte transferimin, fillimisht në formë huazimi, te PSG-ja.

Përveç sukseseve në garat vendore edhe me Paris Saint-Germainit, Mbappe arriti ta fitojë trofeun e Kupës së Botës me ekipin kombëtar të Francës gjatë verës së vitit 2018. Të gjitha këto arritje kanë ndikuar që francezi të kërkohet nga klubet më të mëdha të botës, veçanërisht nga Real Madridi.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, shpeshherë e ka bërë të qartë dashurinë e tij për sulmuesin ri, ndërsa së fundi edhe mbrojtësi i Real Madridit, Carvajal, e ka këshilluar francezin t’i bashkohet atij në Real Madrid.

“Natyrisht, ne të gjithë e kemi parë se çfarë mund të bëjë ai. Ai është njëri ndër lojtarët më të mirë në botë dhe do të ishte mirë të luaja përkrah tij sepse ky është një klub ku lojtarët më të mirë duhet ta dëshmojnë veten”, ka thënë Carvajal.

Carvajal po fliste para një jave të vështirë për Real Madridin, që të dielën do të përballet me Valencian në Mestalla para se ta vizitojë Barcelonës në Camp Nou të mërkurën.


(Kosova Sot Online)