Bastexhiu kërcënon ekipin e Berlusconit: Jemi shqiptarë, humbni ose do ju vrasim

  • 14 December 2019 - 13:45
Bastexhiu kërcënon ekipin e Berlusconit: Jemi shqiptarë, humbni ose do ju vrasim

“Kemi vënë bast 250 mijë euro. Lajmëro shokët e mbrojtjes që kjo ndeshje duhet humbur. Nëse dilni nga fusha me pikë, mund ta konsiderosh veten si i vdekur që po ecën”. Janë këto fjalët kërcënuese që kanë marrë futbollistët e Monzës, klub nën pronësi të Silvio Berluskonit.

Kërcënuesi është një bastexhi 25-vjeçar me origjinë siciliane, i cili është ndaluar nga karabinierët e Aleksandrisë.

Hetimi kishte nisur në shtatorin e kaluar, kur Monza kishte ndeshjen në transfertë ndaj Juventusit U-23, një takim i zhvilluar pikërisht në Aleksandri.

Skuadra e Berluskonit nuk ra pre e kërcënimeve dhe fitoi 4-1 teksa pas garës, denoncuan gjithçka kishte ndodhur.

“Nëse nuk luan, apo nuk lejon rivalët të shënojnë, ta dish se do të të vras duke ecur në rrugë. Ta di adresën e mos guxo të denoncosh. Jemi kalabrezë dhe shqiptarë”, ishte kjo pjesa tjetër e fjalëve të kërcënuesit.

Lojtari i kërcënuar u mor nën mbrojtje nga forcat e rendit të cilat falë një hetimi mundën të gjejnë edhe aparatin nga i cili kishte ardhur kërcënimi.

Në fakt, telefoni i përkiste një personi nga Katania i cili ishte ndarë nga jeta pak vite më parë, por hetimet e thelluara gjetën autorin, i cili thuhet të ketë vepruar i vetëm dhe nuk ka asnjë lidhje me mafian apo botën e krimit të organizuar.

(Kosova Sot Online)