Lakmia e Neymarit dhe babait të tij vazhdon ta zemërojë Barcelonën

  • 14 December 2019 - 16:07
Lakmia e Neymarit dhe babait të tij vazhdon ta zemërojë Barcelonën

Revista prestigjioze Forbes e ka publikuar një artikull ku shkruan se lakmia e Neymarit dhe babait i tij nuk njeh kufi, shkaku i lajmeve të fundit që janë raportuar për yllin brazilian.

Sipas pretendimeve të gazetës spanjolle, El Mundo, ylli brazilian i Paris Saint-Germainit e ka nisur një tjetër padi ligjore ndaj ish-klubit të tij, Barcelonës, duke i kërkuar 3.9 milionë euro si rrogë të papaguar.

Ai e ka akuzuar edhe presidentin e klubit katalonas, Josep Maria Bartomeun, se po tenton t’i hakmerret atij në mënyrë të ulët për shkak të largimit të Neymarit nga Barcelona në vitin 2017, për 222 milionë euro.

“Është diçka nga e kaluara, kur Neymari u largua nga Barcelona”, sqaroi babai i futbollistit kur u pyet për padinë ligjore. “Ne gjithmonë duam të arrijmë marrëveshje sepse kjo është më e mira për të gjithë. Barcelona s’shqetësohet për këtë, por as ne. Ne kurrë s’kemi pasur marrëdhënie të keqe me Bartomeun”.

Por, përderisa babai i Neymarit insiston kështu në mënyrë publike, është e vështirë të besohet se drejtuesit e Barcelonës s’janë të zemëruar me brazilianin për insistimin e tij për ta marrë bonusin e besnikërisë, përkundër që ai i la ata në baltë duke shkuar në PSG.

Gazetari spanjoll Gabriel Sans nuk është aspak i impresionuar nga kjo sagë mes Barcelonës dhe ish-lojtarit të tyre.

“Rrëmuja me Neymari s’ka kufij, edhe pse dy palët ishin afër të arrijnë marrëveshje për ta kthyer brazilianin në skuadër gjatë verës. Barcelona ka mësuar se braziliani i ka ngritur dy padi ligjore kundër tyre”, shkruan Sans.

Në të njëjtën intervistë të shkurtë, babai i Neymarit thotë: “Ne nuk dimë ende asgjë për të ardhmen” dhe shtoi se djali i ti “ka kontratë me PSG-së dhe është i lumtur”.

Megjithatë, si zakonisht, 27-vjeçari ka vazhduar të ngre dyshime për punëdhënësit e tij aktual dhe të flirtojë me punëdhënësit e tij të kaluar. Pas fitores 5:0 të PSG kundër Galatasarayt, Neymari nxiti spekulime me deklaratën e tij.

“A jam i lumtur në Paris? Jam i lumtur kur luaj futboll. Ajo që më pëlqen më së shumti është të jem në fushën e futbollit, pavarësisht se ku jam. Kur jam dy porta, një top dhe kam bashkëlojtarë, unë jam i lumtur”, tha Neymari.

Megjithatë, sado lakmitar që Neymari mund të cilësohet në aspektin financiar, ai nuk është i tillë në fushën e lojës, siç e dëshmoi gjatë ndeshjes së fundit, kur ia dha bashkëlojtarit të tij Edinson Cavanit topin për ta gjuajtur një penallti, gjë për të cilën u lavdërua nga trajneri i tij.

“Të gjithë mund ta shohin se Neymari është shumë i ndjeshëm. Ai ia dha topin Edit dhe ky është një simbol i mirë për skuadrën. Neymari ishte shumë i rëndësishëm dhe vendimtar për ne, por ai vetëm po përmirësohet”, tha trajneri Thomas Tuchel. 

(Kosova Sot Online)