Zanetti: Interi synon ta fitojë Ligën e Evropës

  • 16 December 2019 - 15:29
Zanetti: Interi synon ta fitojë Ligën e Evropës

Pasi nuk ia doli të kualifikohet në Champions, Interi do të vijojë rrugëtimin në Ligën e Europës, ku do të përballet me bullgarët e Ludogorets në fazën e 1/16-ave të këtij kompeticioni.

Zëvendëspresidenti dhe njëkohësisht legjenda e klubit zikaltër, Javier Zanetti deklaroi se Europa League është një objektiv për Interin, që do të tentojnë t’i shkojnë deri në fund dhe të provojnë ta fitojnë.

“Më vjen keq që nuk ia dolëm të kualifikohemi, për vetë mënyrën se si i përgatitëm ndeshjet, por fusha tregoi se nuk ishim ende gati. Tani jemi të përqendruar të mbyllim sa më mirë ndeshjet e kampionatit, por natyrisht që Europa League është një objektiv për ne. Do t’i përballojmë takimet me seriozitetin maksimal dhe do provojmë të shkojmë deri në fund të këtij kompeticioni”, deklaroi numri 2 i klubit zikaltër.

Më pas Zanetti foli me superlativa edhe për trajnerin e Interit, Antonio Conte, që erdhi në stolin zikaltër vetëm këtë verë dhe ka arritur të ndërtojë një skuadër të aftë për të ecur hap më hap me Juventusin në kampionat.

“Unë shoh nga afër kulturën e tij të punës dhe pasionin që arrin të transmetojë te i gjithë grupi, elementë këto që janë shumë të rëndësishme për një skuadër që dëshiron të ringrihet. Është i përgatitur, inteligjent dhe me personalitet. Jemi vetëm në fillim të një rruge të gjatë dhe duhet të punojmë për t’u përmirësuar, por jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Zanetti.

(Kosova Sot Online)