Ter Stegen ngurron ta konfirmojë të ardhmen: S’i dihet kurrë

  • 17 December 2019 - 10:09
Ter Stegen ngurron ta konfirmojë të ardhmen: S’i dihet kurrë

Marc-Andre ter Stegen thotë se është i lumtur në skuadrën e Barcelonës, mirëpo ngurron ta konfirmojë të ardhmen e tij në Camp Nou, para përballjes të së mërkurën me Real Madridin në kuadër të La Ligës.

Ish-portieri i Borussia Monchengladbachut iu bashkua gjigantit katalonas gjatë verës së vitit 2014 për 12 milionë euro dhe që nga atëherë e ka zënë pozitën e portierit të parë në Camp Nou.

Së fundi, Ter Stegen i ndau mendimet e tij për të ardhmen dhe e komentoi El Clasicon e radhës, që fillimisht ishte shtyrë nga 26 tetori për shkak të protestave të organizuara në Katalonjë.

“Në futboll, ti kurrë nuk mund ta dish çfarë do të ndodhë. Unë dua ta bëj klubin të lumtur dhe ta lë gjurmën time këtu. Këto ndeshje janë ato që të emocionojnë më së shumti, që i emocionojnë të gjithë njerëzit”, ka thënë Ter Stegen.

“Më herët, situata politike kishte qenë e tensionuar dhe kjo bëri që ndeshja të jetë e pamundur të zhvillohet. Ne duhet t’i kuptojmë rrethanat dhe të luajmë të sigurt”.

“Ndeshjet kundër Real Madridit janë gjithmonë të rrezikshme për ne. Ata i kishin disa probleme në fillim të sezonit, sikur ne. Liga është bërë tani më e fortë, veçanërisht në aspektin fizik. Nuk ka më ndeshje të thjeshta”.

Portieri gjithashtu e sqaroi qëndrimin e tij lidhur me spekulimet se ai nuk është i lumtur në Kombëtaren e Gjermanisë, pas debatit të gjatë lidhur me pozitën e portierit të parë në këtë ekip kombëtar.

“Për mua debati lidhur me pozitën e portierit të Gjermanisë nuk ishte aq punë e madhe si e bënë mediat. Unë tentoj të luaj mirë, ta dëshmoj veten vazhdimisht dhe t’ia bëj punën e vështirë trajnerit të Kombëtares. Kjo është e gjitha që mund ta bëj”, sqaroi Ter Stegeni. 

(Kosova Sot Online )