Southgate i kërkon Anglisë të përmirësohet, pas një viti sfidues

  • 20 December 2019 - 09:08
Southgate i kërkon Anglisë të përmirësohet, pas një viti sfidues

Trajneri i ekipit kombëtar të Anglisë, Gareth Southgate, beson se skuadra e tij është përmirësuar gjatë këtij viti kalendarik, mirëpo insiston se ka ende vend për përmirësime gjatë vitit 2020.

Pasi arritën deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës Rusia 2018 – sukses i papritur nga tifozët, për shkak të paraqitjeve para turneut – “Tre Luanët” vazhduan përpara nën drejtimin e Gareth Southgate.

Këtë vit, anglezët luajtën edhe në finalet e Ligës së Kombeve, mirëpo ata përfunduan të tretët nga katër ekipet kombëtare pjesëmarrëse, pasi që humbën në gjysmëfinale kundër Holandës, që në finale u mposht nga Portugalia.

Ata iu përgjigjen këtij zhgënjimi duke u kualifikuar për Kampionatin Evropian 2020, ku ndeshjet e fazës së grupeve do t’i luajnë në stadiumin kombëtar “Wembley”, ndërsa edhe gjysmëfinalet dhe finalja do të zhvillohen aty.

Southgate nuk e fshehu zhgënjimin që s’e fitoi trofeun e Ligës së Kombeve këtë vit, mirëpo ai beson se paraqitjet dhe rezultatet e Anglisë janë përmirësuar gjatë këtij viti kalendarik.

“Ndeshjet si ajo kundër Holandës janë vendimtare për zhvillimin e skuadrës. Nuk e morëm atë që e deshëm, mirëpo i patëm disa momente dhe elemente të mira gjatë ndeshjes. Si përvojë, ai turne ishte i mirë për ne”, ka thënë Southgate.

“Në mendjen tonë, ne e dinim se në cilat aspekte duhej të përmirësoheshim gjatë këtij viti dhe tani e kemi të fiksuar në mendje, i gjithë stafi, se çfarë duhet të bëjmë para verës së ardhshme [kur zhvillohet EURO 2020]”.

(Kosova Sot Online )