Arsenali dhe Evertoni ndajnë pikët në ndeshjen e fundit të dy trajnerëve të përkohshëm

  • 21 December 2019 - 15:33
Arsenali dhe Evertoni ndajnë pikët në ndeshjen e fundit të dy trajnerëve të përkohshëm

Evertoni dhe Arsenali u ndanë me barazim pa gola në ndeshjen e sotshme në Goodison Park, në kuadër të xhiros së 18-të të këtij sezoni të Premierligës – në ndeshjen e fundit të dy trajnerëve të përkohshëm, Freddie Ljunbergut të Arsenalit dhe Duncan Fergusonin të Evertonit.

24 orët e fundit kanë qenë të ngjashme për Arsenalin dhe Evertonin. Topçinjtë e Londrës e emëruan zyrtarisht Mikel Artetan trajner të ri në vend të trajnerit të përkohshëm Ljubergut, përderisa Evertoni e zyrtarizoi një orë para ndeshjes Carlo Ancelottin, që  e liron nga puna e trajnerit të përkohshëm Duncan Fergusonin.

Arsenali dominoi paksa me posedim të topit dhe e krijoi një rast të artë për të shënuar gol, mirëpo Evertoni pati më shumë goditje drejt portës (gjithsej nëntë), asnjë prej të cilave nuk ishte brenda kuadratit.

Kjo bën që Evertoni ta vazhdojë ecurinë në tre ndeshjet e fundit pa fitore, ecuri kjo të cilën Ancelotti do të tentojë ta përmirësojë qysh në ndeshjen kundër Burnleyt, që do të zhvillohet më 26 dhjetor.

Në anën tjetër, edhe Arsenali tani regjistron ecuri prej tre ndeshje pa fitore, pas disfatës 3:0 kundër Manchester Cityt dhe barazimit 2:2 me Standard Liege në Ligën e Evropës. Mikel Arteta do të tentojë t’i japë fund kësaj ecurie me ndeshjen kundër Bournemouthit, pas pesë ditësh.

Aktualisht, Arsenali radhitet në pozitën e nëntë në tabelën e Premierligës, me 23 pikë të grumbulluara, ndërsa Evertoni është në pozitën e 15-të, me 19 pikë të fituara deri më tani. 

(Kosova Sot Online)