Real Madridi po vuan para portës, por Zidane thotë se s’ka nevojë për sulmues

  • 23 December 2019 - 08:46
Real Madridi po vuan para portës, por Zidane thotë se s’ka nevojë për sulmues

Me gjithë problemet e qarta të Real Madridit me shënimin e golave, trajneri Zinedine Zidane nuk ndien se ka nevojë ta transferojë ndonjë sulmues të ri në skuadër.

Madridi e ka shënuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit dhe e regjistroi edhe një barazim tjetër pa gola të dielën kundër Athletic Bilbao.

Lëshimi i dy pikëve nënkupton se gjiganti madrilen tani ngel dy pikë prapa rivalit dhe liderit, Barcelonës në La Liga.

“Si gjithmonë, kur i luajmë ndeshjet siç e bëmë dhe kemi shanse për të shënuar, ndihem i inatosur për lojtarët. Jemi të inatosur që nuk i shndërruam në gol shanset e krijuara”, tha Zidane pas ndeshjes.

“Kur ke mundësi, duhet t’i shfrytëzosh dhe kemi pasur shumë raste në tri ndeshjet e fundit por kemi shënuar shumë pak gola. Nuk është fat i keq po mungesë bindjeje, por më rëndësi është të krijosh raste”, shtoi ai.

Luka Jovic nuk ka qenë në gjendje ta përkrahë Karim Benzeman në sulm, por Zidane thotë se nuk dëshiron të blejë sulmues në janar.

“Absolutisht jo, mendoj se nuk kemi nevojë për sulmues”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online )