Arteta debuton për Arsenalin kundër Bournemouth, me Xhakën titullar

  • 26 December 2019 - 15:19
Arteta debuton për Arsenalin kundër Bournemouth, me Xhakën titullar

Mikel Arteta do të debutojë si trajner i Arsenalit kundër Bournemouth në Premierligë, në një ndeshje mes dy skuadrave në vështirësi të mëdha këtë sezon.

Arteta, i cili javën e kaluar u emërua trajner i klubit për të cilin luajti për disa vjet, shpreson se do jetë në gjendje ta ndryshojë për mirë gjendjen në Arsenal dhe t’ua shpëtojë sezonin “Topçinjve” pikërisht në debutimin e tij në Vitaliy Stadium.

Arsenali e ka fituar vetëm njërën prej pesë ndeshjeve të fundit dhe nëntë pikë larg top katërshes në Premierligë.

As Bournemouth nuk po kalon momente të mira, sepse, ngjashëm si kundërshtari i sotëm, e ka fituar vetëm njërën prej pesë ndeshjeve të fundit dhe për më tepër, ka vetëm katër pikë më shumë se zona e rënies nga liga.

Arteta, i cili vjen si zëvendësues i të shkarkuarit Unai Emery, do të ketë një mal për ta kapërcyer në përpjekje për ta zënë një pozitë në top katërshe, në mënyrë që ta arrijë synimin e klubit për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve.

Trajneri spanjoll i ka bërë tri ndryshime në formacionin e Arsenalit në debutimin e tij, duke iu besuar Mesut Ozilit, Alexandre Lacazette dhe Sokratis.

Granit Xhaka është titullar po ashtu, ndërkohë Shkodran Mustafi ndodhet në bankën rezervë.

Takimi mes Bournemouth dhe Arsenal nis në orën 16:00.

(Kosova Sot Online)