Arteta: Arsenali është klubi më i madh në Angli

  • 29 December 2019 - 12:06
Arteta: Arsenali është klubi më i madh në Angli

Trajneri i ri i Arsenalit, Mikel Arteta, beson se do të jetë në gjendje t’i fitojë zemrat e tifozëve të, sic e ka quajtur ai, klubit më të madh në Angli, pas disa muajve të vështirë.

Ish-ylli i “Topçinjve”, Arteta, i cili e fitoi dy herë FA Cup me klubit para se t’i varte këpucët në gozhdë më 2016, u emërua trajneri i ri i Arsenalit në vend të të shkarkuarit Unai Emery këtë muaj, dhe barazoi 1:1 kundër Bournemouth në ndeshjen e tij debutuese.

Ish-ndihmëstrajneri i Pep Guardiolës në Manchester City, do të përballet me një test shumë të vështirë sot kundër rivalit londinez, Chelsea, në ndeshjen e fundit të Arsenalit më 2019. 

Ai do të kërkojë t’i hakmerret Chelseat për humbjen e Arsenalit në finale të Ligës së Evropës në maj.

Arteta i ka bërë të ditura planet për ta arritur ditët e lavdishme të Arsene Wenger në Londrën Veriore.

“Ne duhet ta krijojmë një lidhje mes ekipit dhe tifozëve përsëri. Ndiej se në disa sezonet e fundit ka ndodhur një shkëputje e madhe mes tifozëve dhe ekipit dhe kjo po bën që ne të humbasim shumë forcë”, tha ai.

“Ne jemi klubi më i madh në Angli, dhe duhet të luajmë paksa me këtë arrogancë, me këtë besim. Ky stadium duhet ta krijojë këtë frikë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)