Xhaka këshillohet të transferohet në Liverpool

  • 08 janar 2020 - 11:33
Xhaka këshillohet të transferohet në Liverpool

Ish-futbollisti i Liverpoolit, Danny Murphy, beson se Granit Xhaka do të dukej superlojtar po të luante në skuadrën e Jurgen Kloppit, si dhe shtoi se ylli i Arsenalit shpeshherë duket i painteresuar në Emirates.

Granit Xhaka iu bashkua Arsenalit nga Borussia Monchengladbachu në vitin 2016 dhe që nga atëherë i ka bërë 152 paraqitje për klubin londinez në të gjitha garat.

Mesfushori 27-vjeçar s’e ka pasur marrëdhënien gjithmonë të mirë me tifozët e Arsenalit, të cilët e kritikonin atë për mungesën e kontributit në repartin defansiv të mesfushës.

Marrëdhënia e tij me tifozët e Arsenalit e pësoi goditjen më të rëndë gjatë këtij sezoni, kur ai i shau tifozët në reagim ndaj fishkëllimave kur po zëvendësohej gjatë disfatës me rezultat 2:1 në shtëpi kundër Crystal Palace.

Unai Emery ia mori Xhakës shiritin e kapitenit pas këtij incidenti, ndërsa spekulimet për një largim të mundshëm të tij kanë mbizotëruar në mediat angleze që nga atëherë. Ish-mesfushori i Liverpoolit Murphy është i bindur se Xhaka do të shkëlqente në Liverpool.

“Nëse Xhaka do të ishte në skuadrën e Liverpoolit me Hendersonin dhe Fabinhon, ai do të dukej superlojtar sepse ai është i mirë teknikisht dhe bën pasime të mira, ka goditje të mirë dhe e ka aftësinë të luajë me këmbën e majtë”, ka thënë Murphy.

“Por kur luan në një skuadër që ka probleme, ti dukesh se vetëm po sillesh në fushë dhe lëshon gabime. Kjo është dilema për Mikel Artetan sepse ai e ka një skuadër që ka nevojë për përmirësime”. 

(Kosova Sot Online)