Mane, pasi u zgjodh lojtari afrikan i vitit: Do të preferoja të luaj futboll, jo të flas këtu

  • 08 January 2020 - 12:52
Mane, pasi u zgjodh lojtari afrikan i vitit: Do të preferoja të luaj futboll, jo të flas këtu

Ylli senegalez i Liverpoolit, Sadio Mane, u emërua futbollisti më i mirë afrikan i vitit 2019 për herë të parë në karrierë të vet. Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk preferon shumë të flasë para një numri të madh të njerëzve.

Sadio Mane e mposhti bashkëlojtarin e tij në Liverpool, Mohamed Salahun, dhe rivalin në Premierligë, Riyad Mahrez, për ta fituar titullin për më të mirin e vitit 2019 nga Afrika.

Senegalezi e fitoi këtë çmim falë sukseseve të tij me Liverpoolin gjatë vitit të kaluar, si titujt e Ligës së Kampionëve, Superkupës së Evropës dhe Kupës së Botës për Klube. Për më tepër, Mane ishte golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Premierligë dhe ishte i katërti në radhitjet për Topin e Artë.

“Të jem i sinqertë, unë do të preferoja të luaj futboll e jo të flas para kaq shumë njerëzve të rëndësishëm. Kjo është puna ime, e dua shumë. Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar në të njëjtën kohë”, tha Mane.

“Dua ta falënderoj familjen time, veçanërisht dajën tim që është sonte këtu, si dhe trajnerin tim. Gjithashtu dua t’i falënderoj bashkëlojtarët në Kombëtar dhe stafin, Liverpoolin dhe bashkëlojtarët e mia atje”.

“Kjo është një ditë e madhe për mua dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë senegalezët që kanë votuar për mua. Unë vij nga një fshat i vogël i quajtur Bambali dhe jam i sigurt se ata po më shikojnë sonte. Po e them sërish, jam shumë i lumtur dhe krenar që e fitova këtë”.

(Kosova Sot Online)