Verratti: PSG-ja i ka katër nga 10 lojtarët më të mirë në botë

  • 09 January 2020 - 09:41
Verratti: PSG-ja i ka katër nga 10 lojtarët më të mirë në botë

Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Marco Verratti, i lavdëroi bashkëlojtarët e tij në repartin e sulmit, duke pretenduar se ata janë katër nga dhjetë futbollistët më të mirë në botë.

Fuqia e PSG-së në fazën e sulmit ishte e gjitha në shfaqje për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Ligës kundër Saint-Etienne, ndeshje kjo të cilën skuadra e Thomas Tuchel e fitoi me rezultat 6:1.

Për ta siguruar një fitore me rezultat kaq të thellë, trajneri Tuchel gjeti vend në formacion për katër yje në sulm: Mauro Icardin, Angel Di Marian, Neymarin dhe Kylian Mbappen.

Ky vendim iu shpërblye trajnerit, pasi që Icardi kontribuoi me një het-trik, përfshirë këtu një gol të shënuar në minutën e dytë të ndeshjes, përderisa edhe Neymari dhe Mbappe shënuan  në ndeshjen kundër Saint-Etienne që luajti me dhjetë lojtarë që nga minuta e 31-të.

Verratti, i cili ishte gjithashtu titullar për këtë ndeshje, i lavdëroi katër yjet e lartpërmendur të skuadrës së tij, pasi i shikoi ata të kenë sukses të mahnitshëm të mërkurën.

“Ishte ndeshja jonë e parë në shtëpi për vitin 2020. Ishte gjithashtu e rëndësishme pasi që ishte çerekfinalja e Kupës së Ligës dhe vitin e kaluar ne u eliminuam në këtë fazë. Për këtë arsye ne e nisëm ndeshjen me shumë seriozitet”, ka thënë Verratti.

“Goli i shënuar në minutën e dytë na e bëri punën më të lehtë, e njëjta vlen edhe për kartonin e kuq. Është një fitore e merituar. Ne gjithashtu u pajtuam në zhveshtore se duhet ta japim më të mirën nga vetja. Në fund të ndeshjes, të gjithë ishim të lumtur”.

 

“Mendoj se kemi fat t’i kemi katër lojtarë që janë në top dhjetëshe në botë. Është e mrekullueshme ta kesh një gjë të tillë. Për këtë arsye trajneri vendosi ta ndryshojë sistemin sepse është e vështirë ta lësh ndonjërin prej tyre në stol”.

Icardi është i vetmi përforcim i ri në sulmin e PSG-së për këtë sezon 2019/20, pasi u transferua në formë huazimi, me opsion për blerje gjatë verës, nga Interi.

(Kosova Sot Online )