Simeone: Atletico e arriti të pamundurën kundër Barcelonës

  • 10 January 2020 - 10:53
Simeone: Atletico e arriti të pamundurën kundër Barcelonës

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e lavdëroi skuadrën e tij për fitoren kundër Barcelonës në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, duke thënë se ata e arritën atë që konsiderohej e pamundur.

Barcelona u mposht në mënyrë tronditëse nga Atletico Madridi, me rezultat 3:2, në gjysmëfinalen e së enjtes, shkaku i dy golave të shënuar afër fundit të ndeshjes nga madrilenët.

Fillimisht kishte qenë pikërisht Atletico që kishte kaluar në epërsi përmes golit të shënuar nga Koke, mirëpo Barcelona e kishte përmbysur rezultat falë golave të Lionel Messit dhe Antoine Griezmannit.

Megjithatë, skuadra e Diego Simeones arriti të shënojë dy herë brenda dhjetë minutave të fundit të ndeshjes dhe e siguroi kështu një vend në finalen e madhe me Real Madridin. Kjo përmbysje e rezultatit u cilësua të ketë qenë pothuajse e pamundur nga trajneri Simeone.

“Ne u përballëm me një situatë të vështirë, pothuajse të pamundur. Por, ne e kishim ndjenjën që nëse arrijmë ta barazojmë rezultatin, mund ta fitojmë ndeshjen dhe e arritëm rezultatin”, ka thënë Simeone.

“Mendoj se ne duhet ta përjetojmë këtë me qetësi… faktin që jemi kualifikuar në finale. Është e rëndësishme për tifozët, e rëndësishme për klubin dhe shumë e rëndësishme për futbollistët dhe neve stafin”.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër njërës prej skuadrave më të mira në botë. Ata janë më të mirët kur vjen fjala te posedimi i topit dhe organizimi i aksioneve të sulmit”.

(Kosova Sot Online )