Klopp: Fabinho dhe Lovren drejt kthimit, Milner e Keita s’do të luajnë kundër Tottenhamit

  • 10 January 2020 - 14:33
Klopp: Fabinho dhe Lovren drejt kthimit, Milner e Keita s’do të luajnë kundër Tottenhamit

Trajneri Jurgen Klopp pret t’i kthehen Fabinho dhe Dejan Lovren në stërvitje gjatë javës së ardhshme, ndërsa James Milner dhe Naby Keita s’do të jenë në dispozicion për ndeshjen e Liverpoolit kundër Tottenhamit.

Mesfushori defansiv, Fabinho, ka qenë jashtë fushës së lojës që nga fundi i nëntorit, kur e pësoi një dëmtim të ligamenteve të kyçit të këmbës në barazimin 1:1 kundër Napolit në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi Lovren e kishte shijuar një ecuri të mirë me skuadrën e Liverpoolit, mirëpo ai tani po mungon që rreth një muaj shkaku i një problemi muskulor, ndërsa Joe Gomez ka qenë mbresëlënës përkrah Virgil van Dijkut në mbrojtje.

Megjithatë, të dy futbollistët janë afër kthimit në fushën e lojës dhe kthimi i tyre mund të vijë në kohë për ndeshjen e fundjavës së ardhshme, kundër Manchester Unitedit.

“Presim që Dejan dhe Fabinho të kthehet javën tjetër në stërvitje të plota. Do ta shohim nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për ndeshjen kundër Manchester Unitedit”, tha Kloppi.

“Ata po punojnë me të vërtetë shumë, kanë bërë punë të madhe, është një gjë shumë e mirë kjo”.

Ndërkohë, dyshja e mesfushës, Milner dhe Keitan, do ta kenë të pamundur të luajnë të shtunën në Londër kundër Tottenhamit shkaku i problemeve muskulore.

“James dhe Naby nuk janë në dispozicion. Që të kanë probleme muskulore, por të ndryshme”, shtoi Kloppi.

“Nuk kemi ndonjë afat kohor për kthimin e tyre. Ne jemi të hapur për ta kurdo që duan të na bashkohen, kur të na i jep ekipi mjekësor dritën e gjelbër. Jo këtë javë, as javën e ardhshme, atëherë do ta shohim”. 

(Kosova Sot Online)