NBA/ Humbje e “hidhur” për Toronton, Warriors nuk dalin nga kriza

  • 13 January 2020 - 13:23
NBA/ Humbje e “hidhur” për Toronton, Warriors nuk dalin nga kriza

Vetëm 24 orë pas humbjes përballë Cleveland Cavaliers, skuadra e Denver Nuggets është rikthyer te suksesi teksa ka mposhtur me rezultatin 114-104 ekipin e Los Angeles Clippers, në sfidën e zhvilluar në “Pepsi Center” në prani të rreth 20 mijë tifozëve.

Thuajse e gjithë loja ishte e balancuar, por ajo që bëri diferencën në rezultatin final ishte pjesa e dytë e takimit, të cilën vendasit e fituan me rezultatin e thellë 37-22 dhe falë këtij avantazhi, arritën të ruajnë edhe fitoren.

Kampionët në fuqi të NBA, kanadezët e Toronto Raptors nuk po arrijnë të gjejnë vazhdimësi në rezultate këtë sezon, teksa në sfidën e fundit janë mposhtur me vetëm një pikë diferencë nga San Antonio Spurs.

Në takimin e zhvilluar në “Scotiabank Arena” të Torontos, vendasit mbajtën kontrollin gjatë tre fraksioneve të parë, duke krijuar një diferencë prej 13 pikësh dhe duke dhënë idenë se fitorja do të ishte në anën e tyre.

Megjithatë neglizhenca u kushtoi shtrenjtë Raptors, pasi miqtë nga San Antonio bënë një fraksion të katërt në kufijtë e perfektes dhe arritën të përmbysin rezultatin, duke fituar gjithë ndeshjen me shifrat 104-105, pra vetëm një pikë diferencë.

Humbja e tetë radhazi për një prej skuadrave protagoniste të viteve të fundit në NBA, Golden State Warriors, që këtë herë u thye keqazi në transfertën përballë Memphis Grizzlies, që nga ana tjetër mori fitoren e pestë radhazi dhe u ngjit në zonën Play Off.

Edhe kjo përballje ishte e balancuar në 3 nga katër fraksionet, por diferenca u bë në pjesën e tretë ku Grizzlies triumfuan me rezultatin 35-17 dhe fituan të gjithë ndeshjen me plot 20 pikë diferencë, 122-102.

Në takimet e tjera, Brooklyn Nets fitoi bindshëm me shifrat 108-86 përballë Atlanta Hawks, ndërsa Phoenix Suns mposhti Charlotte Hornets me shifrat 100-92. 

(Kosova Sot Online)