Mourinho transferon lojtarin e parë në Tottenham

  • 15 January 2020 - 11:33
Mourinho transferon lojtarin e parë në Tottenham

Tottenhami e ka zyrtarizuar mesfushorin e Benficas, Gedson Fernandesin, në formë huazimi për 18 muaj. Ky është transferimi i parë i Jose Mourinho si trajner i klubit londinez.

21-vjeçari debutoi për Benfican sezonin e kaluar dhe Tottenhami e ka opsionin për ta blerë atë në formë permanente në fund të kësaj periudhe huazimi.

Fernandes e kishte fituar titullin e kampionit të Portugalisë me Benfican sezonin e kaluar dhe ai ka luajtur 53 herë për klubin portugez, duke kontribuar me dy gola të shënuara.

Ai është transferimi i parë për Tottenhamin prej kur Jose Mourinho është emëruar trajneri në vend të Mauricio Pochettinos të shkarkuar.

Fernandes, i cili i ka dy paraqitje për ekipin kombëtar të Portugalisë, tha se ai do të shpërngulet në Londër, ku tashmë jeton familja e tij

“Është një histori e vështirë për t’u treguar. Familja ime erdhi në Londër sepse puna në Portugali është e vështirë dhe s’është e lehtë të gjesh vende pune. Ata nuk e patën një jetë brilante, por tani po jetojnë mirë këtu dhe kjo është motivim shtesë për mua”, ka thënë Fernandes.

“Ata do të më ndihmojnë të ambientohem këtu. Për mua, është një ëndërr e madhe të jem në një klub kaq të madh, Kjo është një sfidë fantastike të cilën unë e kam pranuar dhe synoj ta fitoj”.

Fernandes ishte titullar për herë të fundit më 30 tetor, pasi që trajneri i Benficas preferonte të luanë me lojtarë të tjerë gjatë kohës së fundit.

Ai i bashkohet Tottenhamit në një kohë kur mesfushorët Moussa Sissoko dhe Tanguy Ndombele janë të lënduar, ndërsa Christian Erisken besohet se do të largohet së shpejti për në Inter. 

(Kosova Sot Online)