Barcelona dhe Man City e duan Bastonin, anglezët ofrojnë shkëmbim me Cancelon

  • 19 January 2020 - 11:55
Barcelona dhe Man City e duan Bastonin, anglezët ofrojnë shkëmbim me Cancelon

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni u shënjestrua si nga Barcelona ashtu edhe nga Manchester City, të cilët thuhet se kanë ofruar një shkëmbim me Joao Cancelo.

Italiani 20-vjeçar erdhi përmes akademisë së të rinjve të Atalantas dhe ka qenë mbresëlënës në San Siro këtë sezon.

Ai madje e shtyu edhe veteranin Diego Godin të qëndrojë në stol javëve të fundit dhe shfaqjet e tij nuk kaluan pa u vënë re jashtë kufijve të Italisë. 

Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, Barcelona bëri një ofertë për Bastonin, por ajo u refuzua plotësisht nga drejtuesit e Interit.

La Gazzetta dello Sport gjithashtu raporton se City bëri një telefonatë për disponueshmërinë e Bastonit, duke propozuar një marrëveshje shkëmbimi që përfshin Cancelon.

Por, edhe kësaj radhe Interi nuk u bind dhe nuk e kishte ndërmend të ndahej me talentin e tyre të ri.

Bastoni ishte një investim i madh, pasi Interi pagoi 31 milionë euro te Atalanta në verën e 2017, duke e lënë atë në huazim në Bergamo dhe më pas te Parma deri në këtë sezon, në mënyrë që të mund të fitonte përvojën e Serie A.

(Kosova Sot Online)