Man Unitedi pret dënim pas ndeshjes kundër Liverpoolit

  • 21 January 2020 - 11:39
Man Unitedi pret dënim pas ndeshjes kundër Liverpoolit

Federata e Futbollit e Anglisë ka hapur procedurë disiplinore ndaj Manchester Unitedit, pasi klubi s’arriti t’i kontrollojë lojtarët e vet të silleshin në mënyrë të rregullt gjatë ndeshjes së Premierligës kundër Liverpoolit.

Lojtarët e Manchester Unitedit e rrethuan gjyqtarin Craig Pawson gjatë pjesës së parë të disfatës me rezultat 2:0 në Anfield, pasi Virgil Van Dijk e kishte bërë një ndërhyrje ndaj David de Geas në ajër.

Roberto Firmino e kishte shënuar një gol mbresëlënës në momentet pas atij incidenti, mirëpo goli i tij u anulua nga VAR-i shkaku i përplasjes së Van Dijkut me portierin e Manchester Unitedit.

De Gea ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari Pawson shkaku i protestave të tij gjatë këtij incidenti.

“Manchester Unitedit i është hapur procedurë disiplinore për shkak të shkeljes së nenit 20 të Rregullave të FA”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Federata angleze.

“Pretendohet se klubi ka dështuar të sigurojë se lojtarët e vet do të silleshin në mënyrë të rregullt në minutën e 26-të të ndeshjes së Premierligës kundër Liverpoolit të dielën (19/01/2020)”.

Manchester Unitedi ka kohë deri të enjten për t’u përgjigjur ndaj këtyre akuzave.

(Kosova Sot Online)