Zyrtare: Bayerni transferon Odriozolan nga Real Madridi

  • 22 January 2020 - 12:01
Zyrtare: Bayerni transferon Odriozolan nga Real Madridi

Bayern Munichu e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të Real Madridit, Alvaro Odriozola, në formë huazimi, deri në fund të këtij sezoni 2019/20.

Alvaro Odriozola arriti në Gjermani të martën dhe i kaloi testet mjekësore me kampionin në fuqi të Bundesligës, para se të zyrtarizohej transferimi i tij të mërkurën.

Spanjolli e kishte humbur vendin e tij në formacionin e parë në Santiago Bernabeu këtë sezon, pasi që trajneri Zinedine Zidane i dha mundësi ta dëshmojë veten në vetëm pesë ndeshje.

Odriozola luajti për herë të fundit në fitoren e Los Blancos në Ligën e Kampionëve kundër Club Brugge në dhjetor, mirëpo ai s’është ftuar për asnjë ndeshje të La Ligës që nga disfata kundër Mallorcas më 19 tetor.

Mbrojtësi i krahut të djathtë iu bashkua Real Madridit nga Real Sociedadi verën e vitin 2018 për 40 milionë euro. Ai besohej se do të ishte pasardhësi i Dani Carvajalit në Bernabeu.

Odriozola i bëri 22 paraqitje për madrilenët në sezonin e tij të parë, duke kontribuar edhe me një gol, ndërsa tani, pasi e humbi vendin në skuadër këtë sezon, ai do të vazhdojë në formë huazimi te Bayerni.

Trajneri i Bayernit, Hansi Flick, kishte qenë në kërkim të një mbrojtësi të krahut të djathtë, pasi që ai shpreson ta zhvendosë në mënyrë permanente Joshua Kimmichin në mesfushë. 

 

(Kosova Sot Online)