Rashford insiston se do të luajë sërish këtë sezon, përkundër deklaratave të Solskjaer

  • 22 January 2020 - 13:28
Rashford insiston se do të luajë sërish këtë sezon, përkundër deklaratave të Solskjaer

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, insiston se ai do të luajë sërish këtë sezon, përkundër që trajneri Ole Gunnar Solskjaer e ka sugjeruar të kundërtën në konferencën e fundit për shtyp.

Marcus Rashfordi e pësoi një lëndim të rëndë në shpinë gjatë ndeshjes kundër Wolves në rimeçin e rundit të tretë të FA Cup. Pas kësaj, Solskjaer kishte bërë të ditur se lojtari do të mungonte disa javë.

Mediumet angleze pastaj raportuan se anglezi nuk do të kthehej nga ky lëndim për rreth tre muaj, para se Solskjaer të zbulonte të martën se Djajtë e Kuq mund të detyrohet ta mbyllin këtë sezon 2019/20 pa golashënuesin më të mirë të tyre.

Kur u pyet nga gazetarët nëse Rashfordi do të luante sërish këtë sezon, trajneri norvegjez u përgjigj: “Marcusit do t’i japim po aq kohë sa do të ketë nevojë për t’u shëruar. Ne nuk do ta rrezikojmë atë kur është i lënduar”.

Kjo deklaratë i nxiti spekulimet se Rashfordi mund të mos shërohet në kohë para se të mbyllet ky sezon, duke i dhënë kështu fund sezonit të tij më të mirë në karrierën për 20-herë kampionët e Anglisë.

22-vjeçari i ka shënuar 19 gola në 31 paraqitjet e tij në të gjitha garat këtë sezon, duke përfshirë këtu 14 golat në Premierligë që kanë bërë që ai të jetë në mesin e garuesve për Këpucën e Artë për herë të parë.

Kjo ëndërr e tij, për ta fituar Këpucën e Artë, do të jetë e pamundur të realizohet shkaku i lëndimit, mirëpo Rashfordi beson se ai do ta luajë megjithatë një rol në shpresat e Manchester Unitedit për t’u futur në top katërshe të Premierligës.

“Do të kthehem para se të mbyllet sezoni me shpresën për t’i ndihmuar skuadrës time ta arrijë një vend në top katërshe”, shkroi Rashfordi, në përgjigje ndaj një mesazhi të faqes së Premierligës, që i uroi shërim të shpejtë.

Pas lëndimit të Rashfordit, Anthony Martial, Daniel James dhe Mason Greenwood mbeten opsionet e vetme të klubit për fazën e sulmit. Megjithatë, dy të fundit – James dhe Greenwood – s’kanë shumë përvojë në Premierligë, të dy  bashkë i kanë 40 paraqitje gjithsej.

(Kosova Sot Online)