Solskjaer thotë se Unitedi e refuzoi Haalandin shkaku i agjentit Raiola

  • 22 January 2020 - 14:54
Solskjaer thotë se Unitedi e refuzoi Haalandin shkaku i agjentit Raiola

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka thënë se Manchester Unitedi u detyrua t’i mbrojë interesat e klubit gjatë negociatave për transferimin e Erling Haalandit nga RB Salzburgu, pasi adoleshenti shënoi het-trik në debutimin e tij për Borussia Dortmundin.

Old Traffordi ishte cilësuar si njëri ndër destinacionet më të mundshme për 19-vjeçarin gjatë afatit kalimtar të janarit, mirëpo Manchester Unitedi mbeti i zhgënjyer kur Haalandi nënshkroi me Dortmundin dhe debutoi me het-trik, përderisa Solskjaer ka nevojë urgjente në skuadër për një sulmues.

Kur ishte zyrtarizuar transferimi i Haalandit në Dortmund, mediumet britanike kishin raportuar se Manchester Unitedi ishte tërhequr nga negociatat për shkaqe financiare e jo pse ishte refuzuar nga norvegjezi. Manchester Unitedi ishte bindur të dorëzohet në këtë tentim më së shumti shkaku i kërkesave të agjentit Mino Raiola

“Është e rëndësishme që ne ta përdorim logjikën”, tha Solskjaer, kur u pyet për transferimin e Haalandit në konferencën për shtyp para ndeshjes të së mërkurës kundër Burnleyt në Premierligë.

“Kur ti e transferon një lojtar, edhe shumë gjëra të tjera janë në pyetje e ti duhet t’i mbash nën kontroll ato gjëra. Nuk mund t’ua lëshosh agjentëve në duar këtë kontroll duke dhënë klauzola për blerje e gjëra të tilla”.

“Ne jemi testuar me këto gjëra dhe, sipas meje, ne duhet të mbeteshim në kontroll të situatës”.

Haalandi debutoi për Dortmundin në ndeshjen kundër Augsburgut duke hyrë në lojë nga stoli dhe duke e shënuar një het-trik brenda 23 minutave.

Ndërkohë, Manchester Unitedi e ka humbur sulmuesin Marcus Rashfordin shkaku i një lëndimi që mund ta lë anglezin pa luajtur më këtë sezon, duke i lënë vetëm Anthony Martial, Mason Greenwoodin dhe Daniel Jamesin si opsione për të gjithë vijën e sulmit.

(Kosova Sot Online)