Guardiola: Liverpooli është fantastik, fenomenal

  • 26 January 2020 - 08:32
Guardiola: Liverpooli është fantastik, fenomenal

Pep Guardiola është i kënaqur me paraqitjet e skuadrës së tij Manchester City në përgjithësi këtë sezon, por e pranon se rivali për titull në Premierligë, Liverpool, është thjesht ekip fenomenal që të lërë pa mend.

City ngel plot 16 pikë prapa liderit Liverpool dhe Guardiola ka kohë që e ka pranuar humbjen në garë për titull këtë sezon.

Por City vazhdon të jetë në pozitën e dytë dhe sezonin e kaluar u bë skuadra e parë që ia arrin ta mbrojë titullin në Premierligë në dekadën e fundit. 

Guardiola e pranon se Liverpooli i Jurgen Klopp është ekip fantastik këtë sezon, por këmbëngul se ekipi i tij do të ishte në garë për titull në secilin prej ligave të tjera të mëdha në Evropë.

“Natyrisht, Liverpooli do të jetë kampion i Premierligës dhe do të shpallej kampion edhe në Spanjë, Itali e Gjermani. Do të shpallej kampion çdo kund pas 23 ndeshjeve, 22 fitoreve dhe një barazimi”, tha Guardiola.

“Me pikët që i kemi tani, në Spanjë do të ishim vetëm një pikë prapa liderit, njëjtë në Gjermani dhe Itali”, shtoi ai.

“Por Liverpooli është thjesht fantastik, fenomenal, të lë pa mend. Prandaj duhet ta pranojmë këtë dhe të mësojmë nga kjo”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)