Pogba heq allçinë nga këmba, i afrohet shërimit nga lëndimi

  • 28 January 2020 - 12:43
Pogba heq allçinë nga këmba, i afrohet shërimit nga lëndimi

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka bërë të ditur se mesfushori francez, Paul Pogba, e ka hequr allçinë nga këmba dhe se tani është më afër shërimit nga lëndimi i tij në kyçin e këmbës.

Mesfushori tjetër i lënduar i Manchester Unitedit, Scott McTominay, i cili gjithashtu ka munguar në skuadrën e Djajve të Kuq që një kohë, është duke u përgatitur për t’u kthyer në seancat stërvitore.

Ky lajm është mirëpritur nga tifozët e Manchester Unitedit, pasi që klubi i tyre i preferuar pa hasur në pengesa të shumta gjatë këtij sezoni 2019/20.

Fituesi i Kupës së Botës, Pogba, i ka bërë vetëm tetë paraqitje gjatë gjithë sezonit, pasi që ka pësuar disa lëndime që ia kanë pamundësuar atij t’i ndihmojë skuadrës së Ole Gunnar Solskjaerit. 

Solskjaer i ka qëndruar afër 26-vjeçarit gjatë kësaj kohe dhe mezi po pret t’i kthehet ai në skuadër. Optimist është shprehur edhe për McTominayn.

“Është e vështirë ta caktoj një afat kohor për lëndimet afatgjata sepse ata kanë nevojë të stërviten me skuadrën dhe duhet të kthehen edhe në formën e tyre më të mirë në aspektin sportiv”, ka thënë Solskjaer.

“Pauli e ka hequr allçinë nga këmba dhe Scott e ka larguar protezën e këmbës gjithashtu, kështu që të paktën ata do të mundë të fillojnë të bëjnë pak punë në bar”.

“Vetëm Nemanja Matic e ka një problem të vogël, kështu që ai u detyrua ta lë në gjysmë ndeshjen kundër Tranmeres. Ai ka luajtur futboll, kështu që shpresoj se do ta kemi në fushë sërish nesër”.

(Kosova Sot Online)