Zyrtare: Erikseni e lë Tottenhamin për Interin

  • 28 January 2020 - 14:54
Zyrtare: Erikseni e lë Tottenhamin për Interin

Pasi e kishte kërkuar largimin nga Tottenhami qysh nga vera e kaluar, mesfushori danez Christian Eriksen më në fund është larguar nga klubi londinez dhe është transferuar te Interi për 20 milionë euro.

Mesfushori 27-vjeçari i ishte bashkuar Tottenhamit nga Ajaxi në vitin 2013 për 14 milionë euro. Ai i ka bërë 304 paraqitje për klubin gjatë shtatë sezoneve të fundit, duke i shënuar 69 gola.

Jo shumë kohë pasi e arriti finalen e Ligës së Kampionëve me Tottenham, në qershor të vitit të kaluar, Erikseni e pranoi se ai do të dëshironte ta provonte një eksperiencë të re në karrierën e tij.

Ai fillimisht ishte përfolur për një transferim në Manchester United dhe Real Madrid, megjithatë tentimet e këtyre dy klubeve dështuan pasi që negociatat me drejtuesit e Tottenhamin rezultuan të pasuksesshme.

Megjithatë, gjatë muajve të fundit, Interi i ishte futur garës për Eriksenin. Tani, zikaltrit e kanë konfirmuar transferimin e Eriksenit nga Tottenhamit, duke e bërë atë transferimin e tyre të tretë gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pas Ashley Young dhe Victor Moses.

Erikseni ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e gjysmë dhe do të paguhet 11 milionë euro për sezon në San Siro, ndërsa testet mjekësore i kreu të hënën. (Kosova Sot Online)