Suso i afrohet transferimit në Sevilla

  • 29 January 2020 - 09:53
Suso i afrohet transferimit në Sevilla

Mesfushori i Milanit, Suso, është afër transferimit në formë huazimi te Sevilla, përderisa klubi i La Ligës do ta ketë opsionin në marrëveshje edhe për ta blerë spanjollin në të ardhmen, pasi t’i përfundojë periudha e huazimit.

26-vjeçari do të arrijë në Sevilla të mërkurën për t’i kryer testet mjekësore, pasi që dy klubet – Sevilla dhe Milani – kanë arritur marrëveshje për huazim për 18 muaj, raporton Goal.Sevilla e ka opsionin për ta blerë anësorin spanjoll Suso për 20 milionë euro në fund të periudhës së huazimit. Megjithatë, ky opsion mund të shndërrohet në obligim për spanjollët nëse Suso i arrin disa caqe të caktuara.

Ish-futbollisti i Liverpoolit tani shihet si i tepër në skuadrën e Milanit, pas ardhjes së bashkëkombësit të tij, Samu Castillejon, si fuqi në krahun e djathtë të fushës.

Sipas Sky Sport Italias, Milani është në kërkim të një zëvendësuesi për Suson dhe ka hyrë në garë me Romën për transferimin e ish-yllit të Manchester Unitedit, Adnan Januzajt – i cili aktualisht luan për Real Sociedadin.

Pasi e kishte nisur karrierën e tij si futbollist në klubin e vendlindjes Cadiz në Spanjë, Suso iu bashkua akademisë të së rinjve në Liverpool në vitin 2010 dhe e bëri debutimin e tij për ekipin e parë të “Reds” dy vjet më vonë në Ligën e Evropës.

Ai i bëri 21 paraqitje për Liverpoolin – duke e shënuar një gol – para se të dërgohej në formë huazimi në vendlindje te Almeria.

Në janar të vitit 2015, Milani e bleu Suson nga Liverpooli. Pasi u përshtat në qytetin italian, Suso u bë titullar i rregullt për klubin në sezonin 2015/16 – duke luajtur në 18 nga 20 ndeshjet e fundit të klubit në Serie A gjatë atij sezoni.

Klubi i ri i Susos, Sevilla, tani radhitet në pozitën e tretë në tabelën e La Ligës, mirëpo është prapa liderit, Real Madridit, për tetë pikë.

(Kosova Sot Online )