Conte e komenton debutimin e Eriksenit për Interin

  • 30 janar 2020 - 10:25
Conte e komenton debutimin e Eriksenit për Interin

Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka bërë të ditur se ai do të kishte preferuar të mos ia linte Christian Eriksenit kaq shpejtë debutimin për zikaltrit, mirëpo e detyrua ta bëjë këtë sepse s’kishte opsione të tjera për mesfushë në fitoren 2:1 kundër Fiorentinës.

Christian Erikseni e kompletoi transferimin nga Tottenhami në Inter të martën, duke u bërë përforcimi i tretë i klubit të Serisë A gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pas Ashley Young dhe Victor Moses.

Ai u soll në lojë si zëvendësues kur kishin mbetur edhe 24 minuta në çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku Nicolo Barella e shënoi golin e fitores vetëm 42 sekonda më vonë.

Mesfushori danez, i cili e zëvendësoi Alexis Sanchezin nga stoli, mendoi se ai e kishte nisur debutimin e tij me asist kur ia pasoi topin Lautaro Martinezit, por flamuri për pozitë jashtë loje e anuloi golin e tretë të Interit.

Megjithatë, Conte zbuloi se ai nuk e kishte bërë plan ta përdorte transferimin e tij të fundit aq shpejt.

“Ne nuk e kishim qëllim ta përdornim Eriksenin kaq shpejt, pasi që ai i nisi stërvitjet me ne vetëm dje, por Matias Vecino dhe Barella ishin të vetmit mesfushorë që i kishim në dispozicion”, ka thënë Conte.

“Erikseni ka karakter dhe e ngre nivelin e skuadrës. Shpresoj të më kthehen më shpejt lojtarët sepse jemi me të vërtetë të limituar në repartin e mesfushës. Erikseni mund të luajmë në shumë pozita dhe do ta shohim, por na duhet shumë punë”. 

(Kosova Sot Online)