Zyrtare: Arsenali e huazon Cedric Soares nga Southamptoni

  • 31 January 2020 - 12:29
Zyrtare: Arsenali e huazon Cedric Soares nga Southamptoni

Arsenali e ka kompletuar transferimin e Cedric Soares nga Southamptoni, në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni, kur futbollistit edhe i përfundon kontrata e tij me “Të Shenjtit”.

Në marrëveshjen për transferimin e Cedric Soares nga Southamptoni, Arsenali e ka opsionin për t’i dhënë mbrojtësit të krahut të djathtë kontratë katërvjeçare në fund të sezonit.

Cedric bëhet lojtar i dytë i transferuar te Topçinjtë gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pas transferimit të qendërmbrojtësit spanjoll Pablo Mari, i cili ka ardhur në Londër si huazim nga Flamengo.

Arsenali ia ka paguar Southamptoni gati 1 milion funte për huazimin e 28-vjeçarit dhe do ta paguajë vetë futbollistin për pjesën e mbetur të sezonit. Ai besohet se paguhet rreth 65 mijë funte në javë.

Transferimi i Cedricut do të jetë i mirëpritur nga trajneri Mikel Arteta, i cili nuk e ka një zëvendësues të përsosur për Hector Bellerinin në skuadrën e tij.

Ai e ka përdorur Ainsley Maitland-Niles, i cili është qendërmesfushor, në atë pozitë disa herë, përderisa edhe Calum Chamber do të ishte opsion po të mos kishte qenë i lënduar dhe jashtë skuadrës për nëntë muaj.

Cedricu do të mund t’i ndihmojë skuadrës së Arsenalit edhe në pozita të tjera, si për shembull në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë.

Skuadra e Artetas do të përballet me Burnleyn në Turf Moor të dielën, para se të niset në Dubai për një pushim në gjysmë të sezonit. Ata do të kthehen pastaj më 16 shkurt me ndeshjen kundër Newcastle United në Emirates.

(Kosova Sot Online)