Kloppi modest: Liverpooli im s’është i përkryer, madje as afër

  • 02 February 2020 - 10:29
Kloppi modest: Liverpooli im s’është i përkryer, madje as afër

Liverpooli vazhdon të thyejë rekorde në sezonin 2019/20 dhe tani udhëheq në krye të Premierligës me 22 pikë më shumë se përcjellësi i parë, por trajneri Jurgen Klopp nuk është i mahnitur, sepse thotë se skuadra e tij nuk është e përkryer dhe madje nuk është as afër të qenet e përkryer.

Të kuqtë kanë qenë pothuajse të pagabueshëm deri tani këtë sezon në ligën elitare angleze, duke i fituar 73 nga 75 pikë të mundshme, apo 24 fitore dhe një barazim në 25 ndeshje deri tani.

Fitorja 4:0 ndaj Southamptonit ishte vazhdimësi e ecurisë së përkryer prej 16 fitoreve radhazi në ligë. 

Asnjë ekip nuk ka qenë kaq dominues deri tani, por Klopp thotë se skuadra e tij vazhdon të përqendrohet vetëm në ndeshjen e radhës dhe jo në librat e historisë dhe rekordet.

“Ne nuk i shikojmë statistikat. Kjo është e vërteta. Para ndeshjes, ajo që unë ndiej është shqetësimi. Jam person shumë optimist, por jo para një ndeshje futbolli sepse e di qysh kohë më parë se çdo gjë mund të ndodhë; topi sillet në drejtime të ndryshme”, tha Klopp.

“Sot, për shembull, Southamptoni pati shumë goditje në portën tonë, por nuk ia kam idenë sesi Alisson po i mbron këto raste”, shtoi ai.

“Ne nuk jemi të përkryer, bile nuk jemi as afër të qenet të përkryer. Ama neve nuk na bënë të jemi të përkryer, ne vetëm mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe t’i përdorim aftësitë tona në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)