Shpërthen Dzeko: Kjo Romë s’është e denjë për Serinë A

  • 02 February 2020 - 13:08
Shpërthen Dzeko: Kjo Romë s’është e denjë për Serinë A

Roma u mposht me rezultatin 4-2 nga Sassuolo mbrëmjen e djeshme, në një sfidë ku 3 gola i pësoi brenda 26 minutave të para, ndërsa kapiteni i ri i verdhekuqve, Edin Dzeko u tregua mjaft i ashpër me deklaratën pas ndeshjes.

“Në pjesën e parë asnjë prej nesh nuk ishte i denjë për të luajtur në Serinë A. Kundërshtari na shënonte sa herë që kalonte topin. Nëse nuk japim të gjithë gjithçka, nuk mund t’i fitojnë ndeshjet vetëm një apo dy lojtarë. Gabuam tërësisht me presingun, pasi gjithmonë dikush ishte me vonesë”, deklaroi Dzeko. 

Ndonëse Roma humbi, vetë sulmuesi boshnjak gjeti golin e 100-të me fanellën verdhekuqe, ndërsa pas ndeshjes me Sassuolon pranoi se do të donte që këtë gol ta kishte shënuar në një tjetër mbrëmje dhe me një tjetër rezultat.

“Jam i lumtur që kam shënuar kaq gola për këtë fanellë. Goli që kam në mendje është ai i shënuar kundër Chelseat, megjithatë do të doja që shifrën e 100 golave ta arrija në një mbrëmje tjetër dhe sigurisht me një rezultat tjetër”, u shpreh boshnjaku.

(Kosova Sot Online)