Hummels: Unë po e mësoj Haalandin si të shënojë

  • 04 February 2020 - 08:58
Hummels: Unë po e mësoj Haalandin si të shënojë

Mbrojtësi i Borussia Dortmundit, Mats Hummels, ka bërë shaka se ai po i jep Erling Haalandit leksione se si të shënojë gola, si dhe shtoi se sulmuesi i ri ia kujton atij sulmuesin polak Robert Lewandowski.

Erling Haaland e ka filluar me këmbë të mbarë karrierën e tij në Signal Iduna Park, që kur iu bashkua Borussia Dortmundit nga RB Salzburgu gjatë afatit kalimtar të janarit. Që nga atëherë, ai i ka shënuar shtatë gola në tri paraqitjet e tij të para.

Hummels, i cili i ka shënuar 25 gola në 334 paraqitje për Dortmundin gjatë dy periudhave me klubin, ka thënë duke u tallur se ai ka qenë duke e ndihmuar 19-vjeçarin Haaland me lojën e tij në fazën e sulmit.

“Haaland është duke bërë punë të mirë. Natyrisht unë jam duke ia dhënë atij disa këshilla si të shënojë. Ai ka shënuar më shumë gola në 57 minuta sesa që do të arrijë unë të shënojë gjatë gjithë sezonit”, ka thënë Hummels në një intervistë për WELT.

Pasi që Haaland ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e gjysmë në Dortmund, Hummels shpreson se sulmuesi do të qëndrojë në klub dhe shpreson që ai do të bëhet po aq i suksesshëm sa Lewandowski – i cili kishte luajtur për Dortmundin për katër vjet që nga viti 2010 dhe i kishte shënuar 103 gola.

“Shpresoj që Haalandi do të qëndrojë këtu po aq gjatë sa unë. Të paktën kështu shpresoj unë. Unë kam luajtur bashkë me Lewandowskin për një kohë të gjatë, kështu që e njoh një sulmues të mirë kur e shoh. Megjithatë, Haaland s’ka arritur ende në atë nivel”, shtoi Hummels.

Hummels kishte luajtur me Lewandowskin edhe gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e skuadrës së Bayern Munichut.

(Kosova Sot Online )