Mustafi: Do të pensionohesha nëse s’do të kisha besim në aftësitë e mia

  • 04 February 2020 - 10:02
Mustafi: Do të pensionohesha nëse s’do të kisha besim në aftësitë e mia

Qendërmbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, e ka pranuar se ai do ta mendonte pensionimin nga futbolli nëse do ta humbur besimin në aftësinë e tij për t’u kthyer në formë dhe për ta ndryshuar për të mirë situatën e tij në Arsenal.

Mbrojtësi gjerman me origjinë shqiptare ka shijuar më shumë minuta lojë në Emirates për Topçinjtë, që kur Mikel Arteta e ka zëvendësuar Unai Emeryn në pozitën e trajnerit.

Mustafi është përballur me shumë dyshime rreth talentit të tij dhe rreth të ardhmes së tij te klubi londinez. Megjithatë, ai e ka fituar besimin e trajnerit Arteta dhe tani po e shikon të qenët titullar sërish në skuadrën e Arsenalit.

Mustafi insiston se ai nuk është dorëzuar kurrë në betejën për ta fituar sërish një vend në formacionin e parë, përkundër që thotë se nëse do të kishte dyshime për veten do të pensionohej.

“Në fund të ditës, ne e dimë se si është futbolli. Ty gjithmonë të vjen mundësia, gjithmonë të vijnë mundësitë dhe kur fillon të mendosh se ndoshta s’mund ta përmirësosh situatën tënde, mendoj se atëherë pensionohesh nga futbolli”, ka thënë Mustafi.

“Një profesionist nuk duhet të mendojë në atë mënyrë. Për mua ka qenë gjithmonë e njëjtë, unë gjithmonë tentoj t’i lë gjërat personale prapa meje dhe të jem në dispozicion për skuadrën. Sa herë që ekipi të ketë nevojë për mua, unë do të jem aty – jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”.

(Kosova Sot Online )