Edhe një klub tjetër i Premierligës po e vëzhgon Muriqin

  • 04 February 2020 - 14:52
Edhe një klub tjetër i Premierligës po e vëzhgon Muriqin

Klubet e njohura evropiane ia kanë mësyrë sulmuesit kosovar, i cili po bën paraqitje bravuroze me Fenerbahçen. Në garë për Muriqin së fundmi është futur edhe Brightoni.

Lista e klubeve të interesuara për Vedat Muriqin është e gjatë.

Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçen, prandaj klubet e njohura evropiane po dërgojnë skautë për ta vëzhguar nga afër përfaqësuesin kosovar.

Gazetari i mediumit Haber Global, Yagiz Sabuncouglu njofton se në ndeshjen e fundjavës ndaj Trabzonsporit, për të ndjekur prizrenasin ishin edhe përfaqësuesit e klubit anglez, Brighton & Hove Albion.

Ndërkohë, mediat tjera turke njoftuan dje gjatë ditës se 25 vjeçarin në ndeshjen e fundjavës që shkoi e kanë vëzhguar edhe skautët e Leicester Cityt, Monacos dhe Eintracht Frankfurtit.

E më parë, interesim për ish-futbollistin e Rizesporit kishin shfaqur edhe dy klubet tjera angleze, Tottenham e Manchester United, por edhe Burnley në fund të janarit.

“Djajtë e Kuq” i kishin ofruar muajin e kaluar 25 milionë euro për sulmuesin shtatlartë, por klubi nga Stambolli e kishte refuzuar këtë ofertë pasi i kërkon 50 milionë euro për Muriqin.

Futbollisti kosovar ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2023.

Ai i ka realizuar 13 gola dhe i ka bërë 5 asistime në 21 ndeshje me Fenerbahçen këtë sezon. 

(Kosova Sot Online)