Pritet kthimi i Hazardit në ndeshjen e radhës të Real Madridit

  • 04 February 2020 - 15:12
Pritet kthimi i Hazardit në ndeshjen e radhës të Real Madridit

Pasi ka munguar që dhjetë javë shkaku i një lëndimi të kyçit të këmbës, Eden Hazard pritet të kthehet në skuadrën e Real Madridit për ndeshjen e së enjtes kundër Real Sociedadit.

Pritjes po i vjen fundi. Dhjetë javë pasi e pësoi një lëndim në kyçin e këmbës në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit, Eden Hazard është gati të kthehet në skuadrën e Real Madridit.

Pasi nuk arriti të shërohet në kohë për fitoren e së shtunës në derbin e La Ligës kundër Atletico Madridit, belgu pritet të jetë në mesin e lojtarëve të zgjedhur nga trajneri Zinedine Zidane për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Mbretit kundër Real Sociedadit.

Fillimisht ishte besuar se lëndimi i Hazardit nuk ishte serioz dhe se ai do të kthehej brenda pak ditësh. Megjithatë, testet mjekësore më vonë treguan se 29-vjeçari e kishte pësuar një thyerje të vogël në kyçin e tij, duke bërë kështu që ai të mungojë në 14 ndeshje deri më tani.

Para derbit kundër Atletico Madridit, Zinedine Zidane e kishte theksuar rëndësinë e Kupës së Mbretit për Real Madridin dhe e kishte komentuar lëndimin e Hazardit.

“Hazardi ka filluar të punojë në fushën e lojës sërish, mirëpo ende jo me skuadrën. Ne do ta shohim këtë javë se si po e menaxhon ai procesin e tij rikuperues”, shtoi Zidane.

(Kosova Sot Online)