Dramë në Barcelonë: Messi reagon ashpër ndaj Abidalit, i cili i fajësoi lojtarët për shkarkimin e Valverdes

  • 04 February 2020 - 22:02
Dramë në Barcelonë: Messi reagon ashpër ndaj Abidalit, i cili i fajësoi lojtarët për shkarkimin e Valverdes

Lionel Messi ka reaguar zëshëm ndaj ish-bashkëlojtarit të vet Eric Abidal, i cili i kishte kritikuar ashpër lojtarët e gjigantit katalonas për paraqitjet e tyre në fushë, të cilat, sipas francezit, çuan në shkarkimin e Ernesto Valverdes nga posti i trajnerit.

Abidal, i cili kishte luajtur përkrah Messit në Camp Nou dhe tani punon si sekretar teknik i Barcelonës, foli në një intervistë për gazetën e afërt me klubin, Sport, e cila u publikuar të martën.

Në intervistë, francezi la të kuptohej se një pjesë e lojtarëve të Barcelonës nuk po luanin sic pritej prej tyre nën udhëheqjen e trajnerit Ernesto Valverde.

“Shumë futbollistë nuk ishin të lumtur dhe nuk punonin shumë dhe po ashtu kishte probleme me komunikimin brenda grupit”, kishte thënë Abidal.

“Marrëdhëniet mes trajnerit dhe zhveshtores kanë qenë gjithmonë të mira, por ka gjëra që unë i shoh si ish-lojtar. I thashë klubit atë që e mendoja dhe na u desh ta merrnim një vendim”, shtoi ai.

Valverde u shkarkua nga posti në janar pas humbjes në Superkupë kundër Atletico Madridit, dhe Quique Setien zuri pozitën e tij.

Por Messit duket se nuk i kanë pëlqyer komentet e Abidalit, pasi argjentinasi i ka bërë thirrje ish-bashkëlojtarit të vet të flasë me emra ose të mos bëj fare komente për skuadrën.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi. 

(Kosova Sot Online)