Mourinho: Kane do të mungojë deri në maj

  • 05 February 2020 - 09:17
Mourinho: Kane do të mungojë deri në maj

Jose Mourinho beson se Harry Kane nuk do të kthehet në skuadrën e Tottenhamit të paktën deri në maj, duke i mërzitur kështu jo vetëm tifozët e klubit londinez, por edhe ata të Kombëtares së Anglisë.

Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane, e pësoi një lëndim në këmbë ditën e Vitit të Ri, gjatë disfatës kundër Southamptonit dhe nuk ka luajtur që nga atëherë, pasi që edhe është bërë operacion.

Fillimisht pritej që Kane të mungonte deri në prill, pasi që 26-vjeçari veçse e ka filluar procesin e rehabilitimit.

Megjithatë, Mourinho ka treguar se dyshon që anglezi do të mundë të kthehet në atë datë, duke zbuluar se nuk pret që Kane t’i kthehet në skuadër deri të paktën 9-10 maj, kur Tottenhami do të përballet me Leicesterin në ndeshjen e parafundit të ligës, para ndeshjes së fundit kundër Crystal Palace më 17 maj.

“Pres të kthehet në ndeshjen kundër Leicesterit. Ndoshta do të na duhet ajo ndeshje për diçka. Që të jemi në pozitën e katërt, të pestë apo të gjashtë. Ndoshta ai do të mundë të na ndihmojë në atë ndeshje. Shpresoj”, ka thënë Mourinho. 

(Kosova Sot Online)