Zidane s’pendohet për zgjedhjen e skuadrës, përkundër eliminimit nga Kupa e Mbretit

  • 07 February 2020 - 09:27
Zidane s’pendohet për zgjedhjen e skuadrës, përkundër eliminimit nga Kupa e Mbretit

Trajneri Zinedine Zidane beson se formacioni i Real Madridit që u përdor për disfatën 4:3 kundër Real Sociedadit, në çerekfinale të Kupës së Mbretit në Santiago Bernabeu, ishte mjaftueshëm i mirë për ta kaluar këtë fazë.

I huazuari në Real Sociedad nga Real Madridi, Martin Odegaard, e zhbllokoi rezultatin e ndeshjen, ndërsa edhe dy gola të tjera të shënuara nga Alexander Isak bënë që Sociedadi të kalonte në epërsi 3:0 para se ora të shënonte 60 minuta.

Marcelo ia ktheu shpresat Real Madridit me një gol të tij, por kur Mikel Merino shënoi për 4:1, as golat e vona të Rodrygo Goes dhe Nachos s’arritën t’ia fitojnë Real Madridit këtë ndeshje, duke bërë që madrilenët të eliminohen nga Kupa e Mbretit.

Alphonse Areola e bëri një gabim që çoi te goli i Odegaardit, ndërsa James Rodriguez u zëvendësua menjëherë pas pjesës së parë, përderisa Brahim Diaz pati ndikim minimal në këtë përballje.

Megjithatë, Zidane insistoi se një skuadër që kishte kapitenin Sergio Ramos, Toni Kroosin, Vinicius Jr dhe Karim Benzema kishte mjaftueshëm yje në skuadër për ta fituar ndeshjen.

“Unë e nxora në fushë një skuadër që mendova se mund të bënte punë të mirë. Nuk mendoj se bëmë ndonjë gabim me skuadrën. Por, u përballëm me një rival që luajti mirë dhe kjo na kushtoi”, ka thënë Zidane.

“Këtu jemi të gjithë së bashku – si në fitore, ashtu edhe në humbje”.

Kjo ishte hera e parë që Real Madridi i drejtuar nga Zidane i pësoi katër gola brenda një ndeshje, përkundër që ai ka qenë trajner në Santiago Bernabeu për plot 250 ndeshje.

(Kosova Sot Online)