Guardiola, pas lajmit se Messi do të shkojë në City: Dua që ai ta mbyllë karrierën në Barcelonë

  • 07 February 2020 - 15:36
Guardiola, pas lajmit se Messi do të shkojë në City: Dua që ai ta mbyllë karrierën në Barcelonë

Trajneri Pep Guardiola ka tentuar t’u japë fund spekulimeve për një transferim potencial të Lionel Messit në Barcelonë, duke thënë se ai dëshiron që argjentinasi ta mbyllë karrierën e tij në Camp Nou.

Mediumet angleze dhe spanjolle kanë sugjeruar se Lionel Messi është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Barcelona në fund të sezonit, pasi që s’është i kënaqur me veprimet e drejtuesve të klubit.

Pasi e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist me Barcelonën, për Messin u spekulua se tifozët mund ta shohin më në fund me fanella të një klubi tjetër: të Manchester Cityt.

Kjo pas kritikave që ai ia bëri deklaratave të drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidalit, përderisa e ka një klauzolë në kontratën e tij që ia lejon atij ta lë Barcelonën në fund të çdo sezoni edhe pa dëshirën e klubit.

Përderisa largimi i Messit nga Camp Nou ende besohet se ka shumë pak gjasa të ndodhë, mediumi The Athletic raporton se Manchester City tashmë ka filluar të planifikojë për transferimin e argjentinasit, i cili do të mundë të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Guardiola.

Megjithatë, trajneri spanjoll s’la hapësirë për spekulime të tilla në konferencën e tij për shtyp, kur u pyet për të ardhmen e Messit.

“Ai është lojtar për Barcelonën. Ai do të qëndrojë atje, kjo është dëshira ime”, ka thënë Guardiola.

“Nuk do të flas për lojtarët e një klubi tjetër. Mendoj se ai do ta përfundojë karrierën atje, kjo është dëshira ime”.

Këto spekulime ishin nxitur edhe më shumë shkaku se faqja zyrtare e Manchester Cityt në rrjetin social Twitter e shpërndau lajmin e gazetave për transferimin potencial të Messit.

(Kosova Sot Online)