Pioli: Jam i zemëruar me lojtarët e Milanit

  • 10 February 2020 - 11:53
Pioli: Jam i zemëruar me lojtarët e Milanit

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka thënë se ndihet i zemëruar me lojtarët e vet, të cilët i kritikon se nuk i kryen detyrat e veta në mbrojtje duke e lejuar Interin të rikthehet nga 2:0 për të fituar 4:2 të dielën në derbin Della Madonnina.

Kuqezinjtë e dominuan Interin në pjesën e parë, duke e krijuar një epërsi prej 2:0 falë Zlatan Ibrahimovicit, i cili asistoi për Ante Rebic dhe pastaj shënoi edhe vetë në Giuseppe Meazza.

Por Interi u rikthye nga rrënojat për të fituar 4:2, falë golave nga Marcelo Brozovic, Matias Vecino, Stefan de Vrij dhe Romelu Lukaku.

“Strategjia jonë funksionoi shumë mirë në pjesën e parë dhe mbase meritonim më shumë se 2:0. Por pasi i pranuam dy gola brenda tre minutave gjithçka ndryshoi”, tha Pioli.

“Jam i zemëruar me lojtarët e mi, sepse ata kishin detyra mbrojtëse në ato situata dhe në momentin që nuk i kryem, u ndëshkuam nga Interi”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)