Sulmuesi i ri i Man Unitedit do t’ia dedikojë golat motrës së ndjerë: Ajo është gjithmonë me mua

  • 15 February 2020 - 14:59
Sulmuesi i ri i Man Unitedit do t’ia dedikojë golat motrës së ndjerë: Ajo është gjithmonë me mua

Sulmuesi i ri i Manchester Unitedit, Odion Ighalo, ka premtuar se do t’ia dedikojë të gjitha golat që i shënon për Djajtë e Kuq motrës së tij të ndjerë, Mary, e cila ishte tifozë e madhe e klubit anglez.

Mary Atole vdiq në moshën 43-vjeçare më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Ajo u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Kanada, përderisa kishte qenë duke i bërë gati fëmijët e saj për të shkuar në shkollë.

Ighalo kishte bërë të ditur për vdekjen e papritur të Maryt përmes publikimit të një fotografie të tij me Maryn në rrjete sociale. Fotografinë e kishte përcjellë me një emotikon të zemrës së thyer dhe me fjalët “U prefsh në paqe”.

30-vjeçari e siguroi transferimin në Manchester Unitedi nga Shanghai Shenhua pak javë më vonë dhe ai mund të debutojë për klubin e preferuar të motrës së tij të ndjerë të hënën, në ndeshjen e Premierligës kundër Chelseat.

“Motra ime ishte tifoze e madhe e Manchester Unitedit. Të gjithë ne u rritëm duke e shikuar Manchester Unitedin, të gjithë ishin tifozë të mëdhenj. Bashkëshorti i Maryt ishte tifoz i Chelseat, ndërsa fëmijët e tyre ishin tifozë të Manchester Cityt e Liverpoolit. Por, ajo i qëndroi gjithnjë besnike Unitedit”, ka thënë Ighalo.

“Ajo gjithmonë lutej që unë të transferohem në Manchester United. Edhe kur erdhi të më shikonte mua duke luajtur në Premieligë për Watfordit, ajo më tha se shpresonte të më shihte duke luajtur për Manchester Unitedin”.

“Pjesa më e dhimbshme është që tani që kam ardhur këtu, ajo s’është këtu për të më parë. Megjithatë, unë e di se ajo është atje lart duke më shikuar. Kjo është arsyeja pse unë do të luajë me emrin e saj në këpucë. Ajo është gjithmonë me mua në çdo ndeshje të Manchester Unitedit dhe në Old Trafford”.

“Çdo gol që e shënoj nga tani do t’ia dedikoj asaj dhe Zotit”.

(Kosova Sot Online)