Grumbullohet Kosova, gati për ndeshjen me Islandën

  • 17 February 2020 - 13:17
Grumbullohet Kosova, gati për ndeshjen me Islandën

“Dardanët” janë grumbulluar sot dhe do të përgatiten për ndeshjen e 20 shkurtit ndaj Islandës në parakualifikimet e Botërorit 2023.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është grumbulluar sot para dy ndeshjeve para-kualifikuese të Botërorit 2023.

Dardanët më 20 shkurt në Prishtinë do të përballen me Islandën, derisa më 23 të këtij muaji janë mysafirë të Luksemburgut në Grupin B, ku bën pjesë edhe Sllovakia.

Grumbullimi i parë është bërë sot nga ora 10:00 në palestrën e Kolegjit ISP në Marigona Rezidencë, ku do të mbahet edhe stërvitja e orës 18:00.

Përgatitjet do të vazhdojnë më pas në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Të martën stërvitja do të jetë nga ora 10:30 dhe 18:00, të mërkurën nga ora 12:00 dhe të enjten nga ora 11:00.

Stërvitjet do të udhëhiqen nga trajneri Christos Marmarinos.

Ky i fundit i ka ftuar 17 lojtarë, e më pas lista do të shkurtohet në 12.

Ndeshja Kosova – Islanda zhvillohet të enjten nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Dardanët” synojnë të kalojnë në fazën kualifikuese të Botërorit 2023. 

(Kosova Sot Online)