Wenger i kundërpërgjigjet Emerys, pas akuzave se e la Arsenalin rrëmujë

  • 18 shkurt 2020 - 09:47
Wenger i kundërpërgjigjet Emerys, pas akuzave se e la Arsenalin rrëmujë

Arsene Wenger i është përgjigjur pretendimeve nga pasardhësi i tij në postin e trajnerit të Arsenalit, Unai Emerys, se Topçinjtë ishin në rënie kur francezi i dha fund periudhës së tij 22-vjeçare në Emirates.

Një epokë legjendare në Londër përfundoi gjatë verës së vitit 2018, kur trajneri francez që i shërbeu Arsenalit për një kohë të gjatë u tha lamtumirë tifozëve në Emirates.

Shumë kujtime të lumtura u lanë në të kaluarën, por Arsenali kishte qenë në një situatë të vështirë gjatë fundit të periudhës së Wengerit në Emirates, pasi që klubi s’arrinte as të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve.

Trajnerit Emery iu besua detyra për ta rindërtuar skuadrën, mirëpo spanjolli nuk arriti të bëjë mjaftueshëm ndryshime dhe përmirësime në skuadër gjatë 18 muajve në Emirates dhe rrjedhimisht u lirua nga posti i tij.

Ai e arsyetoi dështimin e tij duke thënë se e trashëgoi një skuadër që ishte në rënie, mirëpo Wenger ka sugjeruar se Emery vetëm po justifikohet, por shtoi se spanjolli duhet ta pranojë edhe fajin e vet në këtë situatë.

“Në vitin 2017, ne e arritëm 75 pikë dhe e fituam titullin e FA Cup, kështu që nuk mund të thuash se Arsenali ishte në rënie. Vitin përpara atij (2016) ne e mbyllëm sezonin në pozitën e dytë në ligë”, tha Wenger.

“2018-a ishte viti m i fundit, por ishte shumë e vështirë të largohesha. Arsenali është një klub që është në pozitë shumë të favorshme financiare”.

“Në Arsenal ka lojtarë të mirë dhe kur je trajner duhet t’i qëndrosh besnik punës tënde dhe rezultateve tua dhe të mos shikosh për t’i fajësuar ata përreth teje. Kjo është gjëja e vetme që mund ta bësh”.

(Kosova Sot Online )