Llapi e Feronikeli, golat “çelë” për kundërshtarë

  • 18 February 2020 - 15:03
Llapi e Feronikeli, golat “çelë” për kundërshtarë

Feronikeli dhe Llapi kampionatin e kishin nisur me ambicie të mëdha – për ta fituar titullin e kampionit dhe Kupën. Mirëpo, të dyja këto skuadra po rrezikojnë të mbesin duarthatë.

Kur kanë kaluar 18 xhiro prej fillimit të kampionatit llapjanët kanë mbetur në vendin e gjashtë me 12 pikë prapa kryesuesit të IPKO Superligës, Ballkanit, të cilin seriozisht po e ndjekin vetëm Drita, Prishtina dhe Gjilani.  Vetëm ndonjë mrekulli e pabesueshme do të mund ta shpallë kampion ekipin e Tahir Batatinës, i cili është i eliminuar edhe nga gara e Kupë.

Dëshpërues ka qenë edhe ecuria e deritanishme e Feronikelit, njërit prej ekipeve me investimet ndër më të mëdhatë në vitet e fundit. Ekipi nga Drenasi kampionatin e nisi si kampion në fuqi dhe fitues i Kupës në sezonin e fundit. Por, tani e sheh veten në pozitën e pestë me 9 pikë më pak sesa Ballkani.

Ndonëse matematikisht mbetet në garë për titull, Feronikeli mundësi më të madhe për ta shpëtuar sezonin do ta ketë Kupën e Kosovës. Kjo pasi ka arritur në gjysmëfinale të kësaj gare. Por, ecurinë e mëtutjeshme nuk do ta ketë aspak të lehtë pasi do të ketë punë me ekipin që i synon të dy trofetë, Ballkanin e Ismet Munishit, që po bën sensacion në këtë edicion.

Për këtë ecuri negative fajtorë rezultojnë repartet e mbrojtjes te të dyja skuadrat, raporton Gazeta Express. Llapi i ka realizuar 25 gola, por i ka pranuar 29, aq sa i ka marrë ekipi i fundit i Superligës, Dukagjini. Më shumë gola sesa Llapi kanë pranuar vetëm Vushtrria dhe Flamurtari.

Në anën tjetër, Feronikeli rezulton si një ekip mjaft efikas në sulm me 29 gola të shënuara, aq sa i kanë realizuar edhe Ballkani e Gjilani. Por, mbrojtja lë për të dëshiruar. 21 gola të pësuar janë të shumtë për një ekip që e synon titullin e kampionit. Në dallim prej tyre, FC Prishtina mbetet me mbrojtjen më të fortë. Deri më tani i ka pranuar vetëm 9 gola. Kurse, lideri Ballkani i ka pësuar 13 sosh.

(Kosova Sot Online)