Interi synon ta transferojë dyshen belge pa shpenzuar asnjë cent

  • 19 February 2020 - 13:37
Interi synon ta transferojë dyshen belge pa shpenzuar asnjë cent

Interi është interesuar për dyshen belge Dries Mertens – Jan Vertonghen, pasi që të dy futbollistët do të jenë në dispozicion si transferime të lira gjatë afatit kalimtar të verës, kur u përfundojnë kontratat me klubet e tyre aktuale.

Zikaltrit kanë qenë të përfolur për një transferim potencial të sulmuesit të Napolit Dries Mertens tash e disa muaj, veçanërisht gjatë afatit kalimtar të janarit.

Kontrata e Mertensit me Napolin përfundon në fund të këtij sezoni, megjithatë, përkundër interesimit nga Interi, negociatat mes futbollistit dhe përfaqësuesve të klubit për një kontratë të re kanë qenë të vazhdueshme.

Mirëpo, mediumi italian Calcio Mercato bën të ditur se edhe Interi është duke negociuar me përfaqësuesit e Mertensit. Zikaltrit ia kanë bërë të ditur atij se janë të gatshëm t’ia japin 32-vjeçarit pagat që ai po i kërkon nga Napoli.

Ndërkohë, gazeta Corriere dello Sport sugjeron se Interi është gjithashtu i interesuar edhe për bashkëkombësin e Mertensit, Jan Vertonghenin.

Ashtu si Mertens, kontrata e mbrojtësit të Tottenhamit gjithashtu përfundon në fund të sezonit dhe besohet se Interi dëshiron ta sjellë në San Siro Vertonghenin, në rast se Diego Godin largohet nga klubi në fund të sezonit.

Godini iu bashkua Interit nga Atletico Madridi vetëm verën e kaluar, mirëpo ai thuhet se nuk është plotësisht i kënaqur në Itali, përkundër që i janë besuar mjaft shumë minuta lojë në Inter nën trajnerin Antonio Conte. 

(Kosova Sot Online)